Doktori Erion Dasho, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se “numri i viktimave nga Covid-19 tregon që në Shqipëri janë 2 milionë persona të imunizuar në mënyrë natyrale”.
“Problemi kryesor që kemi është se jemi në pozicion unik. Vendet e tjera e kanë bazuar imunitetin nëpërmjet vaksinimit dhe shohim të dhënat në SHBA që thonë se personat e vaksinuar me Pfizer apo AstraZeneca kanë përqindje të ulët komplikacionesh dhe vdekjesh. Kjo tregon se vaksina cilësore mbron. Edhe imuniteti natyral mendoj se ofron të njëjtën mbrojtje dhe këtë e shikojmë me vdekjet në Shqipëri, që kanë qenë 2-3 në javë. Shqipëria është e mbrojtur tashmë dhe problem janë vetëm ata të paimunizuarit. Janë rreth 800 000 shqiptarë të tjerë që nuk e kanë kaluar ende”, tha Dasho.
Sipas mjekut, “vaksinimi me Coronavac ka pak ose aspak rol fatkeqësisht” dhe “këtë e tregojnë rezultatet në vendet që e kanë përdorur”. (A2 Televizion)
