Vlora e Kukësi, qarqet më problematike nga zjarret, Çako: Nuk ka qendra të banuara të rrezikuara

Nga A2 CNN
10 Gusht 2021, 19:37 | Aktualitet
Vlora e Kukësi, qarqet më problematike nga zjarret, Çako: Nuk

Nga Karaburuni ku situata vijon të jetë problematike nga zjarret, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi për A2 CNN se qarqet më problematike janë Vlora dhe Kukësi, por shtoi se situata është nën kontroll dhe nuk ka qytetarë apo qendra të banuara të rrezikuara. Në një lidhje telefonike për "Ditari"në A2 ai tha se operacioni do të vijojë deri në eliminimin e plotë të vatrave të zjarrit.

“Vijon  operacioni me helikopterin holandez dhe Forcat e Armatosura në terren, shpresojmë ta finalizojmë sa më shpejt. Janë dy qarqe me probleme serioze, Vlora dhe Kukësi në Majën e Rrunës dhe në zonën e Malit të Zi. Ka forca të shumta zjarrfikëse dhe vijon puna. Situata është nën kontroll, nuk ka qytetarë apo qendra të banuara të rrezikuara. Operacioni do të vijojë  deri në eliminimin e vatrave”.

Për kreun e emergjencave Civile, një pjesë e këtyre zjarreve kanë qenë me tendenca kriminale, dhe në këto kushte, sipas tij, kërkohen ndryshime në Kod për sanksione më të rënda për zjarrvënësit.

“Faktorët janë kompleksë, por ka tendenca të tjera kriminale dhe qëllime pastrimi e djegie të kullotave. Ka informacion që individë apo persona me dashje por i mbetet për hetim të mëtejshme organeve ligjzbatuese, se pjesë e këtyre zjarreve kanë qenë me tendenca kriminale, në distanca që nuk lidheshin e ato ku kemi operuar. Në këto kushte ne do të vlerësojmë çdo iniciativë ligjore për të sugjeruar sanksione në kod për zjarrvënie, se sjellin pasoja për ekonominë dhe fermerët shqiptarë. Në këto kushte do të merret në konsideratë sugjerimi për sanksione. Ne disponojmë informacione nga persona të caktuar për të zbardhur iniciativën dhe skemën për grupin e strukturuar”.

Sa i takon situatës pranë Malit të Zi, Çako theksoi se është hartuar plani për operacion nga ajri, pasi nesër do të ketë kapacitete të shtuara. Ai pranon se përveç Holandës dhe Çekisë shtet e tjera e kanë pasur të pamundur të ofronin ndihmë për zjarret.

“Është evidente prezenca e vatrave në këtë zonë dhe kemi angazhuar fluturime nga ajri për hedhjen e ujit, por edhe me forca të shumta të zjarrfikëseve e FA dhe ndihmës nga Kosova. Ky operacion do të vijojë dhe gjatë ditës së nesërme dhe kemi hartuar planin për operacion nga ajri se kapacitetet tona do të jenë të shtuara nesër. Jemi në marrëveshje me Holandën e Çekinë po vazhdojmë me këta dhe u jemi adresuar të gjithë partnerëve tanë, por të ndodhur në situata emergjente të jashtëzakonshme këto vende nuk kanë patur mundësi të na vijnë në ndihmë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos