
Puna është e rëndësishme në çdo kohë, pasi për shqiptarët është burimi kryesor i të ardhurave. Por, më e rëndësishme bëhet në këtë periudhë pandemie, kur pasiguritë janë shtuar dhe ata që kanë humbur vendet e tyre të punës janë të shumtë.
Nuk janë vetëm të papunët që kanë qenë të siguruar dhe që dihet sesa janë, pasi rezultojnë në listëpagesat e administratës tatimore, por me mijëra punojnë në të zezë dhe ata janë të parët që janë prekur nga kriza që po pason COVID-19. Por, që një qeveri të ndërmarrë politika të duhura për të nxitur punësimin, duhet të dijë se sa të papunë ka dhe në cilët sektorë janë. Ashtu siç duhet të dijë se cilat janë kapacitetet e ekonomisë. A i dimë ne sot të papunët dhe ku janë ata?
Kastriot Sulka, ish-zv/ministër i Punës, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike dhe Sociale, u shpreh për A2 Business Week se “ne nuk i dimë dhe nuk duam t’i dimë se sa është shifra e të papunëve. Forma më e zakonshme për t’u mësuar është anketimi, por këtu anketimi është i çuditshëm. Në kulmin e papunësisë, kur u mbyllëm në karantinim, rritja e papunësisë ishte 0,4%. Në atë kohë duhet të kishte dalë pothuajse 100%”.
“INSTAT-i e ka pranuar se e kishte të vështirë të bënte anketime në atë periudhë, pasi nuk mund t’i nxirrte dot njerëzit në terren”, shtoi Sulka.
Ndërsa Elton Harxhi, ish-zv/ministër i Financave, theksoi: “Do të thoja se nuk jemi rritur në punësim siç kishim pritshmëritë për këtë vit. Jemi në vend-numëro, por është e kuptueshme nga shoku që shkaktoi pandemia në punësimin direkt. Jemi në pikën 0, aty ku e filluam vitin 2020. Ne kemi 80 000 të siguruar si fermerë, nga 446 000 fermerë. Është diferencë e madhe dhe informaliteti në bujqësi është më i madh”.
Elona Shahini, eksperte për ekonominë, pedagoge ne Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, nënvizon se “informaliteti e ka rënduar më shumë situatën” e krijuar nga pandemia.
“Shqipëria ka 3 kategori, të punësuar në një institucion publik apo privat, të vetëpunësuar dhe të vetëpunësuarit në bujqësi, që kanë një tokë dhe e shfrytëzojnë për të prodhuar produkte që i konsumojnë vetë. Ne këta të fundit i quajmë të punësuar dhe ky është gabim”, shpjegoi Shahini.
Sipas Sulkës, “fushata e 300 000 vendeve të punës është bërë mbi prezumimin se në Shqipëri ka 1 milion të papunë”.
“Problemi është se nuk ishin 1 milion të papunë, por për të bërë propagandën, bazuar në askund, ndërtuan një strategji që në askund do të çonte”, deklaroi Sulka.
Sipas Harxhit, “mundësitë për hapje vendesh pune nuk janë aq të mëdha” në ekonominë shqiptare.
“Modeli i rritjes ekonomike mbetet i brishtë. Pavarësisht kësaj, politikat duhet të synojnë drejt arsimit dhe njohurive. Ky është kyçi i hapjes së vendeve të reja të punës. Duke parë edhe vendet e tjera, nuk është se ne kemi taksim të tejskajshëm të bizneseve. Taksa është element i fundit që një investitor shikon. Nuk ka arsye që taksa të ndikojë në punësim, duke qenë se jemi te 15% tatim-fitimi. Nga të gjitha studimet që janë bërë, jemi në një nivel fare normal me vendet e rajonit. Shqetësimi i investitorit është trajnimi i punonjësve”, u shpreh Harxhi.
Por, Sulka thekson me bindje se ulja e taksës do të rrisë punësimin. (A2 Televizion)