Kriza e ekonomike, Spaho: Ndërhyrja në buxhet e pjesshme, qeveria e re do të detyrohet ta rishikojë

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2020, 14:16 | Ekonomi
Kriza e ekonomike, Spaho: Ndërhyrja në buxhet e pjesshme, qeveria e re

Eksperti i Ekonomisë, Mateo Spaho, u shpreh në A2, se ndërhyrja në buxhetin e ri për krizën e pandemisë është e pjesshme.

“Ndërhyrja në buxhet është e pjesshme dhe e vogël. Është për të ardhur keq, pasi fondet do të duhet të ishin trefish më të larta. Jemi në vit elektoral dhe në këtë situatë, nga tradita, administrata shtetërore ul efikasitetin dhe nuk respekton planin e të ardhurave dhe rritet mundësia për abuzim. Më pas, është edhe rritja ekonomike. Ky buxhet ka marrë parasysh një rritje ekonomike 5-6% për vitin e ardhshëm, ndërkohë nga parashikimet këto shifra duken të paarritshme. Nëse nuk ka rritje ekonomike, s’ka si të ketë rritje të të ardhurave”, u shpreh Spaho.

Më tej, eksperti theksoi se Shqipëria nuk mund t’i varë shpresat te vaksina. “Vaksinimi i popullsisë me siguri nuk do të ndodhë brenda 6 mujorit të parë të vitit 2021”.

Për Spahon, qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të detyrohet të rishikojë buxhetit, duke ulur nivelin e shpenzimeve.

Spaho theksoi se borxhi nuk mund të jetë një zgjidhje afatgjatë. “Vendet e tjera kanë marrë borxh, por ato janë në gjendje t’i paguajnë. Ndërkohë, Shqipëria ka një aparat prodhues të brishtë. Duhet të jemi 100 herë më të kujdesshëm se vendet e tjera. Zgjidhja reale do të ishte marrja e dy masave konkrete. Së pari, pezullimi i pagesave të PPP në akord me ata që janë partnerët dhe e dyta, ka lidhje me shtyrjen e investimeve kapitale të mëdha”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos