
Gazetari Dorant Vojka, në një lidhje direkte nga SHBA për emisionin “Terminal” në A2 CNN, ka sqaruar se aktivizimi i nenit 5 të NATO-s nuk do të thotë automatikisht hyrje në luftë nga vendet anëtare.
Duke komentuar paralajmërimet për një rrezik të mundshëm ndaj Shqipërisë, Vojka theksoi se neni 5 parashikon konsultim dhe vendimmarrje nga çdo shtet anëtar, dhe jo reagim të menjëhershëm ushtarak.
“Ligji i pestë nuk do të thotë luftë automatike. Do të thotë që vendet anëtare vendosin nëse do të përfshihen apo jo. Nuk është se aktivizohet dhe të gjitha vendet vijnë menjëherë në luftë”, u shpreh ai.
Sipas gazetarit, shumë shtete të NATO-s kanë procedura të brendshme që kërkojnë miratim nga parlamentet ose qeveritë përpara përfshirjes në një konflikt, pavarësisht nëse bëhet fjalë për nenin 5 apo për situata të tjera.
Vojka theksoi gjithashtu se Shqipëria, që prej anëtarësimit në NATO, i ka miratuar këto angazhime në parlament dhe i ka integruar në legjislacionin e saj.
Megjithatë, ai bëri thirrje që institucionet shqiptare të mos mbështeten vetëm te partnerët ndërkombëtarë, por të reagojnë vetë për situatën.
“Duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë dhe të diskutohet hapur kjo çështje. Nuk duhet të presim vetëm nga partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh ai. (A2 Televizion)