
Një shtetas afrikan, emigrant që punon në Shkodër, ka mbetur i plagosur gjatë orarit të punës në një fabrikë në zonën industriale të qytetit.
Fillimisht, i riu ka deklaruar se ishte futbollist i “KF Shiroka” dhe se ishte dëmtuar aksidentalisht në dhomën e një hoteli. Por kjo dëshmi nuk ka rezultuar e vërtetë. Më pas, ai ka ndryshuar deklarimin dhe ka treguar se ishte plagosur gjatë punës në fabrikë.
Sipas burimeve, i riu ka pësuar prerje të konsiderueshme në trup, kryesisht në dorë dhe këmbë, dhe është transportuar menjëherë në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia bëjnë me dije se i plagosuri ishte i punësuar në një fabrikë që dyshohet se operonte në të zezë, pranë shkollës profesionale “Arben Broci”. Aktiviteti i saj lidhet me prodhimin e kompostove dhe, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendase, punësonte edhe të huaj nga vendet e treta.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë një procesi pune, ku i riu ka pësuar dëmtime të rënda nga mjetet e përdorura. (A2 Televizion)