
Drejtoresha e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, ndër të tjera, u pyet edhe nëse ka raste të riinfektimit me koronavirus në Shqipëri. Epidemiologia evidentojë mundësitë kur një person mund të rezultojë dy herë radhazi pozitiv me Covid-19 në kohë të ndryshme, ndërsa theksoi se për shkak të imunitetit të dobët ka persona që mund të riinfektohen.
“Ka disa faktorë që mund të ndikojnë nëse kemi një rast të infektuar për herë të dytë apo kemi riaktivizim të virusit në vatra të patrajtuara mirë. Duhet të vëmë në balancë nëse herën e parë ka qenë një rast i konfirmuar me Covid-19 apo kemi një rast që është bazuar vetëm në shenjat klinike. Ky është njëri grup i rasteve, ndërsa grupi tjetër i rasteve, edhe pse ka kaluar Covid-19, pas disa javësh, në sekrecionet nazale mbeten grimca të virusit, të cilat evidentohen edhe pasi ka kaluar një periudhë e caktuar nga episodi i Covid-19 dhe për rrjedhojë, këto grimca evidentohen në marrjen e tamponit sërish. Një grup tjetër është nga fakti, nëse e kemi kaluar Covid-19 kohë më parë dhe mund të jemi ekspozuar kundrejt rasteve të konfirmuara pozitive, ka grupe të popullatës që nuk krijojnë një imunitet stabël. Ka persona me imunitet të dobët, të cilat mund të riekspozohen”.
Tomini bëri thirrje që të bëhet vaksinimi për gripin sezonal, ndërsa theksoi se për fat të mirë deri tani intensiteti i gripit është i ulët. “Vaksinimi ndaj gripit sezonal është mjaft i rëndësishëm, jo vetëm gjatë periudhës së pandemisë. Duhet të themi se deri në këto momente kemi një intensitet të ulët të infeksioneve të sipërme dhe të poshtme respiratorë”.
Më tej, Drejtoresha e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se fundi i javës do të jetë vendimtar për masat që do të merren gjatë festave të fundvitit.
“Dhjetori ka një peshë të madhe të aktiviteteve familjare. Kjo javë do të jetë vendimmarrëse për matjen e indikatorëve kryesorë. Fundi i javës do të jetë vendimtar për ecurinë gjatë festave, edhe pse nuk duhet të ketë grumbullime të mëdha gjatë festave. Të festojmë brenda familjes sonë të vogël”. (A2 Televizion)