Qindra qytetarë u mblodhën rreth orës 16:00 të së mërkurës për të protestuar për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha, i cili mbeti i vrarë një ditë më parë pasi një efektiv i policisë qëlloi ndaj tij ndërsa e ndiqte.
Protesta e organizuar në rrjetet sociale nisi përpara Ministrisë së Brendshme, ku personat e pranishëm kërkuan dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj. Një pjesë e protestuesve tentuan të çanin kordonin e policisë, por nuk lejuan.
Më pas nga Ministria e Brendshme, protestuesit u zhvendosën tek Kryeministria, aty dhe ku situata u tensionua më tej. Një grupim i vogël ushtroi dhunë ndaj policisë, e cila pas përshkallëzimit të situatës u detyrua të përdorte dhe gazin lotsjellës.
Një incident u shënua përpara Kryeministrisë, ku disa persona i vendosën flakën dhe pemës së dekoruar për festat e fundvitit.
Në fund bilanci i protestës regjistroi disa persona të lënduar mes policisë dhe protestuesve dhe shumë të shoqëruar në komisariat.
***
19:30 - Protestuesit thyejnë xhamat e ministrisë së Brendshme, sulmojnë edhe godinë e Bashkisë së Tiranës. Policia hedh gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
19:19 - Protestuesit janë larguar nga kryeministria, ndërsa do të bëjnë edhe një marshim drejt zonës ku u qëllua Klodian Rasha.
19:04 - Shpërndahen protestuesit, policia hedh gaz lotsjellës
Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve që po qëllonte me gurë në drejtim të kordonit që ishte vendosur në hyrje të Kryeministrisë.
18:45 - Genc Sejko, një nga organizatorët: Unë do të jemi këtu deri në orën 22:00, do të bëjmë edhe një marshim simbolik deri në zonën ku u vra 25-vjeçari.
18:30 - Tensionohet situata, protestuesit tentojnë të hapin dyert e Kryeministrisë
Protestuesit tentuan të hapin dyert e kryeministrisë, duke i goditur ato me mjete të forta. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u vendosën në hyrje të kryeministrisë, ndërsa protestuesit vijojnë të godasin me mjete të forta në drejtim të tyre.
18:06 - I vendoset zjarri pemës së Krishtlindjes para Kryeministrisë
Është tensionuar situata në protestën e organizuar në rrjetet sociale për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga policia.
Pasi u përplasën me kordonin e Policisë përpara Ministrisë së Brendshme, protestuesit u zhvendosën tek Kryeministria.
Një pjesë e të pranishmëve kanë hipur në shkallët e Kryeministrisë dhe kanë hedhur sende të forta në drejtim të saj.
Më herët, protestuesit ndezën qirinj për të kujtuar të riun e vrarë dhe kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një efektiv policie gjatë ndjekjes, pasi ky i fundit dyshoi se ai kishte një armë në dorë. (A2 Televizion)