A2 Business Week/ Denaj komenton totalin e borxheve të marra për koronavirusin

Nga A2 CNN
3 Qershor 2020, 20:16 | Ekonomi
A2 Business Week/ Denaj komenton totalin e borxheve të marra për

Anila Denaj, ministre e Financave, u pyet në A2 Business Week mbi totalin e borxheve të marra deri tani në kuadwr të Covid-19 nga qeveria. Sipas saj, “jo çdo borxh i njoftuar është efektuar”.

“Me Komisionin Europian po avancojmë shumë mirë në një proces që ka ngelur tashmë në procedurat tona të brendshme. Transhi i parë do të merret në vjeshtë dhe likuiditeti që ne menaxhojmë përcaktohet në dy faza. Faza proceduriale që shprehim interesin dhe plotësojmë disa kushte që nuk lidhen domosdoshmërisht me kushte për programe, siç ishin më përpara programet e FMN-së, por me disa marrëveshje që janë të mundshme dhe ne jemi angazhuar për t’i bërë. Ndërkohë, instrumenti financiar i shpejtë i FMN-së është lëvruar dhe është përdorur sot në një masë të madhe edhe për deficitin e këtyre muajve. Tregjet e brendshme kanë reaguar pozitivisht. Nuk duhet të ngatërrojmë nevojën për të financuar jo domosdoshmërisht për Covid-19. Deficiti buxhetor apo borxhi është pjesë e ekonomisë shqiptare prej kohësh. Kjo periudhë ishte e pazakontë pasi u goditëm edhe nga tërmeti dhe nga koronavirusi dhe nevoja për të zgjeruar huamarrjen ishte e domosdoshme. Në vitet që do të vijnë do të shikojmë se si angazhimin për rindërtimin dhe për rimëkëmbjen ekonomike ta konsolidojmë pa e çuar borxhin në limite të papranueshme. Në rishikimin e buxhetit do të shihet sa do të shkojë ky limit”, tha Denaj.

Në rast nevojash të tjera për financime, Denaj theksoi se do të shihet mundësia e daljes në tregun e brendshëm.

“Daljet tona në tregun e brendshëm kanë rezultuar pozitive. Çdo dalje do të bëhet kur ke nevojë për likuiditet. Për momentin kemi likuiditet, jemi brenda kuadrit likuid të pranuar dhe të maturuar. Nëse në 6-mujorin e dytë do të na duhet të dalim në tregun e brendshëm, sigurisht që do të dalim, pa diskutim. Por, tregu i brendshëm ka edhe sfidat e veta. Bankat e ndryshme kanë limite për të aplikuar për instrumenta borxhi të emetuara nga shteti”, theksoi Denaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos