
Presidenti Meta ka refuzuar kërkesën e Kuvendit, për dhënien e pëlqimit për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit për Eurobondin, që mazhoranca synonte ta kalonte në Kuvend gjatë seancës së nesërme.
Qeveria kërkon të emetojë në qershor një Eurobond me vlerë deri në 650 milionë euro dhe maturim 7 deri në 10 vjet.
Duke marrë parasysh kompleksitetin e transaksionit dhe kushtet e tregut financiar ndërkombëtar, që mund të pësojnë ndryshime nga pikëpamja e kostos, Kuvendi i kishte kërkuar Presidentit dhënien e pëlqimit për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit.
Por sipas Metës, rasti në fjalë nuk justifikon kushtet e nevojës dhe urgjencës, të cilave u referohet Kushtetuta për të marrë në konsideratë një përjashtim të tillë.
Në kthimin e përgjigjes refuzuese, Presidenti pohon se “vonesa në parapërgatitjen e kësaj nisme tregon se çështjet financiare dhe të ekonomisë në tërësi nuk kanë pasur vëmendjen e duhur në kohë nga qeveria”. (A2 Televizion)