
A2 CNN ka zbritur në frontin e luftës në Ukrainë, për të dëshmuar atë që po ndodh atje. Pas kësaj porte, gjendet batalioni “Dronët e Fitores”.
“Kjo është një qendër e vogël trajnimi për njësitë e mbrojtjes territoriale, jo shumë larg Kievit. “Dronët e Fitores” është një projekt që ka për qëllim që t’u mësojë ushtarëve teknologji, të cilën mund ta përdorin gjatë luftës. Ukraina nuk mund të luftojë Federatën Ruse vetëm me trupa. Rusia ka më shumë se 25 milionë rezervistë, të gatshëm për mobilizim, thuajse sa gjysma e popullatës së Ukrainës. Sigurisht që është e pamundur. Megjithatë, ne duhet të përdorim teknologjinë për të luftuar në mënyrë më efikase. Pra, duhet t’i përdorim këto teknologji për të mbijetuar”, thotë një nga pjesëtarët.
Kur u pyet se për çfarë nevojiten dronët, përgjigjja ishte: “Varet nga njësia që i përdor këta dronë. Në përgjithësi dhe kryesisht përdoren nga inteligjenca. Mund të kryejmë disa sulme me artileri me ndihmë të dronëve”.
Pak metra më tutje, teoria vihet në zbatim dhe “Dronët e Fitores” hapin krahët në gjuetinë e përditshme për vendqëndrimet e rusëve në frontin e luftës: “Kemi opsione speciale për të shënuar koordinata në formate të ndryshme. Për shembull, për një pikë të caktuar kemi disa koordinata, kemi ato ku pozicionohet ushtria ukrainase dhe ato që i shënojmë me “Ushtria sovjetike”. Këto i përdorim për sulme me armë të kalibrit të ndryshëm. Për shembull, kam zbuluar një objekt dhe lidhur me të mund të ngarkoj foto dhe bëj shënime, përfshirë dhe koordinata. Kam një listë me adresa ku mund ta dërgoj dhe ata gjejnë zgjidhje për të”
“Dronët e Fitores” konsiderohen një batalion kyç në rezistencën ukrainase në luftën e nisur nga Rusia më 24 shkurt, pasi ato janë sytë e forcave të Kievit në qiell, në mungesë të sistemeve të sofistikuara të mbrojtjes ajrore, apo edhe të avionëve të luftës. (A2 Televizion)