
A2 ka siguruar pamjet e momentit të vrasjes së 31-vjeçarit të identifikuar nga policia si Tauland Gjikaj këtë të mërkurë në qytetin e Vlorës.
Nga pamjet duket momenti kur Gjika është duke ecur në trotuar, ndërsa një automjet ndalon dhe prej tij dalin dy persona, të cilët e qëllojnë atë me armë zjarri.
Gjikaj më parë ka përdorur emra të tjerë. Ai mësohet se është në fakt Taulant Manaj, por që ka përdorur edhe mbiemrin Beqiraj, djali i një ish-efektivi policie.
Në shkurt të vitit 2017, ai është arrestuar për tentativë vrasjeje të kryer në bashkëpunim me persona të tjerë. Por edhe pse fillimisht u la në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, në mars 2018, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë duke e dërguar në “arrest shtëpie”.
Vetëm 3 muaj më vonë, ai u arrestua përsëri pasi ishte larguar nga banesa ku duhet të qëndronte në arrest shtëpie, si dhe iu gjetën në zotërim armë dhe municione. Por përsëri, Gjykata e Vlorës dha të njëjtën masë sigurie, “arrest shtëpie” për personin me tre mbiemra (Manaj, Beqiraj dhe së fundmi Gjikaj).
Vendimi i atëhershëm i gjykatës u kritikua nga Ministria e Brendshme, që e quajti të padrejtë lënien në “arrest shtëpie” të një personi përsëritës të veprave penale dhe me rrezikshmëri të lartë.
Sipas burimeve të A2, Beqiraj është i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. (A2 Televizion)