
Topalli në “Absolut 4”: Nuk ka të djathtë e të majtë, janë kthyer në parti të kryetarëve të tyre
Jozefina Topalli, e ftuar në “Absolut 4” në A2, deklaroi se “Lëvizja për Ndryshim është një thirrje drejt kurajos së njerëzve që mendojnë se ky vend ka mundësi për më mirë”, duke shtuar se po lufton “për të mbrojtur parimet dhe vlerat për të cilat hyra në politikë”.
“Është sfidë e madhe, sfidat nuk janë kurrë të lehta. Lëvizja për Ndryshim është thirrje drejt kurajos së njerëzve që mendojnë se ky vend ka mundësi për më mirë, ku njerëzit mund të jetojnë këtu dhe mos të largohen. Është vështirë të sfidosh tre kryetarët e partive”, theksoi Topalli.
Sipas saj, “25 prilli do ta bëjë faktor ndryshimi dhe shprese Lëvizjen për Ndryshim”: “Do të jetë fillimi i rënies së sundimit të tre kryetarëve. Edhe rënia e sistemit diktatorial nuk ndodhi në një ditë, ishte një proces derisa u përmbys klasa politike”.
Topalli nuk e sheh 25 Prillin si një dalje kundër familjes së saj politike: “Nuk jam kundër familjes politike, por po luftoj për të mbrojtur parimet dhe vlerat për të cilat hyra në politikë. Sot, nuk ka të djathtë në skenën politike shqiptare. Unë jam e djathtë, qoftë për historinë e familjes sime, qoftë për historinë time. Unë refuzoj faktin e eliminimit të së djathtës shqiptare. E di që është debat i gjerë mbi të majtën e të djathtën, por unë besoj se në Shqipëri nuk ka të djathtë reale dhe të majtë reale. Këto janë kthyer në parti të kryetarëve të tyre, që nuk i qëndrojnë ideologjisë së partive”.
Jozefina Topalli tregon në “Absolut 4” raportet me Sali Berishën
Jozefina Topalli, drejtuesja e partisë së re “Lëvizja për Ndryshim”, tregoi në studion e “Absolut 4” në A2 marrëdhënien që ka pasur dhe ka me ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. (Lajmi i plotë)
“Kurrë nuk do t’i kisha djegur mandatet”, Topalli: Në shpirt jam rebele, më pëlqen opozitarizmi
E ftuar në “Absolut 4”, Jozefina Topalli, kryetare e Lëvizjes për Ndryshim, u shpreh se kurrë nuk do të kishte djegur mandatet nëse do të kishte qenë në parlament, ashtu siç bëri opozita na mandatin e saj të fundit. (Lajmi i plotë)
Topalli: As sondazhet e veta s’e çojnë askund PD-në. Basha-Kryemadhi-Meta, nuk janë ndryshimi
Jozefina Topalli, kryetare e Lëvizjes për Ndryshim, u shpreh në “Absolut 4” se ka koncepte të ndryshme me Bashën, ndërsa thekson se opozita aktuale nuk siguron ndryshimin, pasi sipas saj krerët e partive aktuale kanë udhëhqeur vendin prej dekadash. (Lajmi i plotë)
Topalli: As Rama dhe as Meta me Bashën nuk marrin dot 70 deputetë, pretendojmë të jemi faktor
Për Jozefina Topallin, as mazhoranca e sotme dhe as opozita me PD e LSI nuk do të arrijnë të marrin më shumë se 70 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Më tej, Topalli shprehet se pretendon që Lëvizja për ndryshim, partia që ajo drejton, të jetë faktor. (Lajmi i plotë)
Topalli: Futja në Parlament e njerëzve me precedentë penalë, njolla e Edi Ramës
Jozefina Topalli deklaroi në “Absolut 4” në A2 se “futja në Parlament e njerëzve me precedentë penalë apo vendosja në krye të bashkive të njerëzve me probleme, do të jetë njollë për Edi Ramën”. (Lajmi i plotë) (A2 Televizion)