Topalli në “Absolut 4”: Nuk ka të djathtë e të majtë, janë kthyer në parti të kryetarëve të tyre

Nga A2 CNN
2 Mars 2021, 21:24 | Politikë
Topalli në “Absolut 4”: Nuk ka të djathtë e të

Jozefina Topalli, e ftuar në “Absolut 4” në A2, deklaroi se “Lëvizja për Ndryshim është një thirrje drejt kurajos së njerëzve që mendojnë se ky vend ka mundësi për më mirë”, duke shtuar se po lufton “për të mbrojtur parimet dhe vlerat për të cilat hyra në politikë”.

“Është sfidë e madhe, sfidat nuk janë kurrë të lehta. Lëvizja për Ndryshim është thirrje drejt kurajos së njerëzve që mendojnë se ky vend ka mundësi për më mirë, ku njerëzit mund të jetojnë këtu dhe mos të largohen. Është vështirë të sfidosh tre kryetarët e partive”, theksoi Topalli.

Sipas saj, “25 prilli do ta bëjë faktor ndryshimi dhe shprese Lëvizjen për Ndryshim”: “Do të jetë fillimi i rënies së sundimit të tre kryetarëve. Edhe rënia e sistemit diktatorial nuk ndodhi në një ditë, ishte një proces derisa u përmbys klasa politike”.

Topalli nuk e sheh 25 Prillin si një dalje kundër familjes së saj politike: “Nuk jam kundër familjes politike, por po luftoj për të mbrojtur parimet dhe vlerat për të cilat hyra në politikë. Sot, nuk ka të djathtë në skenën politike shqiptare. Unë jam e djathtë, qoftë për historinë e familjes sime, qoftë për historinë time. Unë refuzoj faktin e eliminimit të së djathtës shqiptare. E di që është debat i gjerë mbi të majtën e të djathtën, por unë besoj se në Shqipëri nuk ka të djathtë reale dhe të majtë reale. Këto janë kthyer në parti të kryetarëve të tyre, që nuk i qëndrojnë ideologjisë së partive”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos