Abuzimet më fëmijët, Erisa Xhixho prezanton projektligjin për parandalimin e krimeve seksuale

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2021, 12:11 | Politikë
Abuzimet më fëmijët, Erisa Xhixho prezanton projektligjin

Erisa Xhixho prezantoi nismën ligjore për regjistrimin kombëtar të të dënuarve për krime seksuale. Deputetja e LSI-së theksoi se kjo nismë vjen pas ngjarjeve të ditëve të fundit ku fëmijët kanë rënë pre e abuzimeve seksuale.

“Kam dorëzuar në Kuvend projektligjin për Regjistrin e Krimeve Seksuale, miratimi i tij zgjidh një herë e mirë regjistrimin e çdo grabitqari seksual dhe mbrojtjen e fëmijëve e grave nga dhuna seksuale! Kjo nisëm bëhet edhe në kuadër të muajit të Fiongos Blu, ditëve ndërkombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe të drejtat e tyre. Regjistri Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale do të jetë një instrument i shtetit shqiptar për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale. Hartimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për krijimin e një mekanizmi ligjor-institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime seksuale të mundshme nga grabitqarët seksualë. Projektligji ka për qëllim inkurajimin dhe përgatitjen e organeve kompetente shtetërore për të mbrojtur fëmijët, të rinjtë, gratë dhe çdo individ nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual, vepra penale që prekin jo vetëm dinjitetin e individit, por edhe shkaktojnë pasoja të rënda në funksionimin normal të qenies njerëzore”.

Sipas saj, regjistri do të jetë një mjet efektiv për të identifikuar vendndodhjen e të dënuarve për krime seksuale dhe monitorimin e aktivitetit të tyre, si dhe punësimin e tyre në institucione.

 “Regjistri i mundëson Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese që të identifikojnë dhe monitorojnë grabitqarët seksualë, pedofilët dhe personat që kanë tendencë për të kryer krime seksuale, duke disponuar informacion të detajuar lidhur me të dhënat personale, vendbanimin, rrethin shoqëror, komunikimet, veprimtarinë dhe punën e tyre etj. Regjistri, gjithashtu garanton ndalimin e personave të dënuar për krime seksuale për t’u punësuar/angazhuar si pjesë e personelit të institucioneve, agjencive, organizatave dhe çdo subjekti shtetëror dhe joshtetëror që punon për fëmijët apo persona të tjerë të rrezikuar ose të pambrojtur në Republikën e Shqipërisë”.

Ajo u bëri thirrje të gjithë deputetëve që ta miratojnë këtë projektligj për ndëshkimin e krimeve si një domosdoshmëri akute për shoqërinë tonë. Ajo paralajmëroi edhe tryezë diskutimesh me të gjitha grupet e interesit për të dëgjuar nga afër mendimet e tyre për këtë nisëm.

“Krimet seksuale kanë nevojë urgjente të ndëshkohen dhe grabitqarët seksualë të fëmijëve apo grave të vendosen në monitorim nga organet e ligjit. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për të forcuar zbatimin e ligjit, forcimin e të gjitha institucioneve duke filluar nga ato arsimore, të policisë dhe deri te hetimi me profesionalizëm i denoncimeve të krimit, te gjykimi i drejtë, i paanshëm dhe ndëshkimi me gjithë forcën e ligjit për këdo abuzues seksual. Ndaj, ftoj çdo deputet, parti politike që ta miratojë këtë projektligj si një domosdoshmëri akute për shoqërinë tonë. Në ditët në vazhdim do të organizoj takime, tryeza diskutimi me të gjitha grupet e interesit për të dëgjuar nga afër mendimet e tyre për këtë nisëm .

Ky ndryshim nuk bëhet vetëm nga një person apo nga disa, por bëhet nga të gjithë për t’i thënë NDAL këtij fenomeni të tmerrshëm që po prek shoqërinë tonë.  Sot, duhet të veprojmë pasi nuk ka kohë më për fjalë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos