Akademikët në prag të zgjedhjeve: Pavarësi dhe fonde

Nga A2 CNN
21 Maj 2019, 20:08 | Aktualitet
Akademikët në prag të zgjedhjeve: Pavarësi dhe fonde

Akademia e Shkencave është vendi ku puna nuk matet me orë dhe as me ditë. Për shumicën dërrmuese nuk mjafton e gjithë jeta dhe pjesë e shkencës nuk bëhen dot.

Në Shqipëri janë 44 akademikë dhe rreth 1 mijë kërkues shkencorë, kryesisht në universitete. Janë kategoria më e padukshme në publik, por më të sulmuarit nga politika. Vitet e fundit dhe Akademia e Shkencave është goditur nga qeveritë me pretendimin për reformim. Një përpjekje të tillë e bëri ish kryeministri Berisha në vitin 2007, Akademia u kthye në institucion honorifik dhe u shkrinë institutet kërkimore. Në atë kohë akademiku Kristo Frashëri e cilësonte reformë shkatërruese

“Akademia e Shkencave është shndërruar pikë për pikë në një shtab pa ushtri, në një zyrë që pret të promovojë vepra që i shkruajnë jo akademikët, të përkujtojë përvjetorët e të vdekurve dhe të lypë poshtë e përpjetë ndonjë kacidhe nga donatorët dashamirës për të organizuar ndonjë konferencë shkencore. E përse? Vetëm për shkak të mendjes së një udhëheqësi dhe jo të faktorëve madhorë, të cilat mund të detyronin shtetin t’i vinte kazmën institucioneve shkencore”, shprehej vite më parë akademiku Frashëri.

Akademia po vinte në pikëpyetje ekzistencën, ndërsa drejtuesit e saj ndërronin vendet në periudha zgjedhjesh e pa asnjë  rivalitet. Pas kësaj situate, në vitin 2017, kryeministri Rama njoftoi shkrirjen e Akademisë dhe ndërprerjen e financimit.

Historiani Beqir Meta thotë se Akademia nuk ka pasur kurrë një periudhë të artë, pasi ka qenë nën presionin e politikës dhe mungesës së fondeve.

“Akademia ka qenë sigurisht nën presionin e vazhdueshëm të politikës, nën emrin e reformave. Reformat janë një fjalë e madhe, një gjë e mirë, por a janë të vërteta? Këtë e tregon koha. Deri tani koha ka treguar që nuk kemi pasur reforma të gjërave themelore të këtyre institucioneve që kërkojmë t’i fuqizojmë”, tha për A2 CNN anëtari i akademisë Meta.


Para zgjedhjeve të 24 majit për kryetarin e ri të Akademisë, Skënder Gjinushi është kandidati i vetëm për këtë post, por njëherësh dhe autori i reformës për këtë institucion. Por akademiku Artan Fuga, aktiv në postimet në “Facebook”, e cilëson farsë procesin e zgjedhjeve dhe reformën e socialistëve. 

“I drejtohem kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi duke denoncuar këtë akt të paprecedent që merr nëpër këmbë çdo konsultim paraprak, ligjor për kuadrin rregullues të arsimit, shkencës, Akademisë së Shkencave dhe universiteteve” shprehet Fuga

E ndërsa në 24 maj akademikët do të ndahen për të votuar ose jo kandidatin e vetëm për kryetar, pika ku bashkohen është se Akademia në këtë vend nuk duhet të shkrihet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos