Presidentja Vjosa Osmani mandatoi të martën në mbrëmje Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Konjufca u propozua nga partia e tij pasi paraprakisht kryeministri aktual në detyrë Albin Kurti dështoi të merrte 61 votë në votimin e 26 tetorit.
Osmani tha se Kushtetuta dhe aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese nuk i japin mundësi të rrëzojnë një propozim për mandatar.
“Kushtetuta nuk i lë hapësirë dhe as diskrecion kreut të shtetit për mosemërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një propozim të tillë, përkundrazi gjuha e përdorur në kushtetutë është obligative pra e detyron presidenten e vendit që ta emërojë kandidatin e dytë”, tha Osmani
Osmani në një konferencë për media mbrëmjen e së martës tha se është obligim i saj kushtetues të shmang zgjedhjet.
Sipas saj, kriteri mbizotërues është interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe funksionalizimi i institucioneve të shtetit.
“Mendoj që është interes i përgjithshëm i Republikës së Kosovës dhe qytetarëve që të kemi institucione dhe të bëjmë çdo përpjekje të mundshme që ato krijohen në mënyrë që së paku të miratohen vendime të rëndësishëm në interes të qytetarëve”, u shpreh Osmani.
Vendimi për të mandatuar Konjufcën u bë mes kundërshtimeve të partitë të tjera shqiptare të cilët e cilësuan propozimin e Vetëvendosjes si skemë për të shtyrë zgjedhjet e jashtëzakonshme pasi sipas tyre është e qartë që nuk i ka votat.
Osmani tha se Vetëvendosje ka besim se mund të arrijnë votat e nevojshme dhe e kanë bindur se kanë gjasa për të formuar Qeverinë e re.
“Askund në kushtetutë dhe askund në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim shumë të madh mes garancës dhe gjasave. Garanca jepet në Kuvend prandaj edhe kërkohen votat aty kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë atëherë detyrimi im është për të parë se kush i ka nga ata gjasat më të mëdha”, tha Presidentja.
Konjufca tashmë ka kohë 15 ditë për të votuar kabinetin e tij qeveritar, saktësisht deri më 19 nëntor. Në të kundërtën, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. (A2 Televizion)
