Deputeti demokrat Arjan Ndoja deklaroi në emisionin Off the Record në A2 CNN, me Andrea Dangllin, se Partia Demokratike nuk mund të fitojë zgjedhjet me sistemin aktual zgjedhor, të cilin e cilësoi si “të ndërtuar për të mbajtur në pushtet Edi Ramën”.
“Me këtë kod zgjedhor, PD është e destinuar të humbasë, pavarësisht sa i fortë të jetë aksioni opozitar. Po nuk ndryshove rregullat e lojës, loja është e humbur që në fillim,” u shpreh Ndoja.
Sipas tij, fokusi i opozitës nuk duhet të jetë tek debatet e brendshme apo tek kërkesat për ndërrimin e kryetarit, por tek ndryshimi i sistemit elektoral dhe garantimi i zgjedhjeve të ndershme.
“Në çdo emision dëgjon vetëm kush do udhëheqë PD-në, sikur aty qëndron problemi. Jo! Problemi është sistemi që Rama e ka ndërtuar në mënyrë të njëanshme, për të kontrolluar rezultatin. Duhet të dokumentojmë farsën zgjedhore, pastaj të bëjmë analizën e brendshme”, tha ai.
Ndoja theksoi se opozita po përballet me një sistem të mbyllur, ku vota nuk përkthehet në përfaqësim real, dhe ku strukturat shtetërore përdoren në favor të mazhorancës.
“Sot kemi përballë jo vetëm Partinë Socialiste, por një sistem të ngritur për të prodhuar një fitues të vetëm, Edi Ramën. Prandaj nëse duam të kthejmë lojën në garë të ndershme, duhet ta ndryshojmë vetë fushën ku luajmë”, përfundoi Ndoja. (A2 Televizion)
