Gazetari Bledian Koka, në emisionin Off the Record në A2 CNN nga Andrea Danglli, deklaroi se opozita ka treguar maturi politike duke mos rënë pre e provokimeve të mazhorancës, e cila sipas tij po përpiqet ta kthejë situatën në një përplasje të kontrolluar për të devijuar vëmendjen nga problemet e brendshme të qeverisë.
“Pesë seanca pa fjalën e opozitës, kalimi i programit të qeverisë për 30 minuta dhe provokimet e vazhdueshme janë pjesë e një strategjie që kërkon të nxjerrë opozitën në shesh për t’i dhënë Ramës justifikim për krizë artificiale,” u shpreh Koka.
Sipas tij, Edi Rama ka interes që opozita të shfaqet agresive dhe destruktive, në mënyrë që të mbulojë zhvillimet e fundit që lidhen me akuzat ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe tensionet brenda mazhorancës.
“Zoti Rama do të kishte dashur që opozita të ishte sot në rrugë, që vendi të ndodhej në një klimë destabiliteti, ndërsa ai të hiqej si ‘garant i stabilitetit’. Por lidershipi i PD e ka lexuar situatën me kujdes dhe nuk ka rënë në grackë,” theksoi gazetari.
Koka nënvizoi se Berisha dhe opozita po presin me qëllim, duke i lënë kryeministrit hapësirë të përballet me “zullumet e veta”.
“Unë mendoj që opozita duhet të presë edhe pak, brenda këtij muaji, për të parë deri ku shkon halli i Edi Ramës. Nuk është vetëm ajo që shohim sot. Ka diçka më të thellë që po vlon brenda mazhorancës, dhe opozita duhet të jetë gati për çdo zhvillim që vjen,” paralajmëroi Koka. (A2 Televizion)
