
Aksioni i djeshëm i policisë shqiptare në kampin e muxhahedinëve iranianë të vendosur në kampin “Ashraf” në Manëz, pas një urdhri të SPAK dhe GJKKO, është mbështetur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
SHBA-ja përmes një prononcimi nga zyrat e DASH për llogari të Radio Evropa e Lirë, kanë reaguar për të parën herë, pas përplasjeve mes anëtarëve të MEK me policinë.
DASH e ka përkrahur aksionin policor, madje duke ngritur dyshime për aktivitetin e MEK si organizatë.
“Policia e Shtetit në Shqipëri na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Zëdhënësi i DASH-it gjithashtu shtoi se SHBA-ja nuk e cilëson MEK-un “lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian”, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”.
Ndërkohë, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha se kur kishte nisur kontrolli i të gjitha objekteve brenda kampit, ku u konstatuan paligjshmëri, salla serverash dhe pajisje kompjuterike, nisi rezistenca e anëtarëve të MEK.
Por, zyrtarët e Shqipërisë nuk bënë të ditur se çfarë hetimi po kryen SPAK-u ndaj anëtarëve të MEK.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, tha se vdekja e një personi brenda MEK-ut, të martën, nuk ka asnjë lidhje me veprimet e policisë.
I pyetur nëse fshihen iranianët e MEK-ut pas sulmeve kibernetike që u kryen në korrik të vitit të kaluar, që çuan në prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin, ministri Çuçi refuzoi të përgjigjej.
Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).
Por, zëdhënësi i DASH-it ka theksuar se SHBA-ja nuk ofron mbështetje apo trajnime për MEK-un dhe nuk kontribuon në financimin e kësaj organizate. (A2 Televizion)