Aktori Thomas Jefferson Byrd u qëllua për vdekje, të shtunën në mëngjes, konfirmoi një zëdhënës i Policisë së Atlantës.
Efektivët iu përgjigjën një telefonate që raportonte për një person të plagosur në jugperëndim të qytetit. Kur mbërritën aty, Byrd u gjet pa ndjenja, tha policia. 70-vjeçari u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes si pasojë e disa plumbave të marrë në shpinë, tha policia. Rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim.
Byrd ishte lindur në Grifin, në jug të Atlantës. I diplomuar në Kolegjin “Morris Brown” në Atlanta dhe me një master në Institutin e Arteve të Kalifornisë, ai luante kryesisht në teatër, por ka marrë pjesë edhe në filma të shumtë të regjisorit Spike Lee. (A2 Televizion)