
Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan është vënë në pranga nga trupat paramilitare në Islamabad. CNN raporton se Khan është vënë në pranga për akuza të ngritura nga agjencia antikorrupsion e vendit.
Ish-kryeministri i mohon akuzat dhe pretendon se janë të motivuara politikisht.
Imran Khan, u detyrua që të linte postin pas mbajtjes së një mocioni mosbesimi në Parlamentin e vendit në prill, vitin e shkuar pasi përballet me një sërë akuzash penale mes të cilave terrorizëm dhe korrupsion.
Khani, i cili është cilësuar si populist, raportohet se që pas lënies së detyrës ka qenë i angazhuar për të “sajuar” një rikthim politik.
Partia e tij ka organizuar dhjetëra-mijëra mbështetës në mitingje politike në të gjithë vendin, në të cilat Khan dhe të tjerë kanë kërkuar zgjedhje të reja dhe kanë akuzuar trupat paramilitare për orkestrimin e rrëzimit të tij.
Tensionet politike rreth figurës së tij arritën pikun në nëntor, kur ish-kryeministri u plagos gjatë një mitingu politik pasi një person i paidentifikuar hapi zjarr ndaj kolonës së tij, në atë që ndihmësit e tij e kanë cilësuar si atentat. (A2 Televizion)