
Andralla të reja ligjore për biznesmenin kontrovers Rezart Taçi. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pasi dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal që po pastronte 18 milionë euro të mafias italiane në Shqipëri.
SPAK njoftoi caktimin e një mase sigurie “arrest në burg” në mungesë nga Gjykata e Posaçme për biznesmenin e hidrokarbureve, që jeton prej vitesh jashtë vendit. E njëjta masë u caktua edhe për dy bashkëpunëtorët e tij në Shqipërim, kunati Artur Balla e ish-shoqëruesi, Bledar Lilo, të cilët u arrestuan mëngjesin e së premtes.
Paralelisht drejtësia e vendit fqinj caktoi masa sigurie për italianët e dyshuar si të përfshirë në pastrimin e parave në disa shtete të ndryshme, mes të cilëve personazhe të dyshuar për lidhje me “Cosa Nostra”-n. Sipas SPAK, ka prova se skema financiare goditur është drejtuar nga sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo, italiani tjetër me iniciale I. Z, kontabilisti Fabio Petruzzella, vëlla i një magjistrateje, Daniele Castagalli dhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi.
Ndonëse ndodhej jashtë vendit, Taçi ka angazhuar të besuarit e tij në Shqipëri Balla e Lilo. Sipas hetimit shqiptaro-italian, milionat e eurove ishin transferuar në Shqipëri, ku anëtarët vendas do të kryenin disa transaksione bankare, të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht. Procesi është ndërprerë, pasi shuma prej 18.3 milionë euro, e gjitha në një llogari, është sekuestruar nga SPAK, para se të copëzohej apo transferohej.
Operacioni u përcoll me buje edhe në vendin fqinj, për shkak se sipërmarrësi Zummo, ka qenë ortak i një ish-kryebashkiaku italian të lidhur me mafian. Në vitin 2001 atij i ishin sekuestruar 150 milionë euro, pas dyshimeve për “pastrim parash”, ndërsa në vitet 1980 ai ishte hetuar edhe nga prokurori i anti-mafias, Giovanni Falcone. Ndërsa për biznesmenin Taçi, kjo është përballja e radhës me drejtësinë. Në vitin 2016 ai u shfajësua nga Apeli i Tiranës lidhur me dyshimet për evazion fiskal gjatë kohës që drejtonte ARMO-n. (A2 Televizion)