Kina është vënë në garë me kohën për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, që deri më tani ka shkaktuar 26 viktima.
Epiqendra e virusit, Wuhani është izoluar plotësisht, ndërsa në të paktën 10 qytete të tjera me popullsi prej 60 milion banorësh, janë bllokuar shërbime të transportit. Dy viktima janë shënuar jashtë Wuhanit në rajonet e Hebei dhe Heilongjiang, ndërsa numri I të prekurve është rritur në të paktën 830.
Në Wuhan, vendi ku virusi u shfaq fillimisht, janë pezulluar të gjitha lëvizjet me autobuze, metro, tragete dhe fluturimet për dhe nga qyteti me 11 milion banorë.

”Kur erdha të kap trenin këtë mëngjes ai kishte ndalur. Na kërkuan të presim deri në një njoftim të dytë, po askush nuk e di se sa do të zgjasë”, thotë një pasagjer në metropolin kinez.
Disneyland në Shangai mbylli dyert deri në një afat të pacaktuar ashtu si Qyteti i Ndaluar në zemër të Pekinit. Autoritet njoftuan anulimin e një serë aktivitetesh kulture dhe gjithashtu festimet me rastin e Vitit të Ri kinez. Virusi është përhapur edhe përtej Kinës, si në Japoni, Tajlandë, Singapor, Vietnam dhe Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë numri i ulët i rasteve jashtë vendit ka bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të mos e shpallë ende gjendjen e emergjencës ndërkombëtare.
“Situata në Kinë është emergjente. Por në rang global nuk është kthyer ende në një emergjencë shëndetësore”, deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori përgjithshëm i OBSH.
Autoritetet në Wuhan po ndërtojnë me shpejtësi një spital me 1 mijë shtretër për të përballuar numrin në rritje të personave të prekur. Media shtetërore raportoi se spitali do të jetë gati në 3 shkurt. Dhjetëra fadroma e buldozerë po punojnë aktualisht në zonë. (A2 Televizion)