Nga sot do të jetë më e vështirë të shkosh në SHBA për të lindur fëmijë

Nga A2 CNN
24 Janar 2020, 10:52 | Bota
Nga sot do të jetë më e vështirë të shkosh në

Që nga kjo e premte, administrata Trump do të vërë në zbatim një politikë të re, e cila do ta bëjë edhe më të vështirë për gratë e huaja shtatzëna që të lindin në Shtetet e Bashkuara, për të siguruar kështu që fëmija i tyre të marrë nënshtetësi amerikane.

Rregullat e reja, të siguruara nga CNN nga Departamenti i Shtetit, i janë dërguar të mërkurën ambasadave amerikane kudo në botë, për të shmangur sa më shumë atë që quhet “turizmi i lindjes”.

Shtëpia e Bardhë tha se Departamenti i Shtetit “nuk do të lëshojë më viza të përkohshme (B-1/B-2) për të huajt që kërkojnë të futen në Shtetet e Bashkuara për të lindur”. Atyre do t’u mohohet viza nëse do të zbulohet se qëllimi kryesor i vizitës është lindja e një fëmije në SHBA.

Rregulli nuk do të zbatohet vetëm për 39 shtete, kryesisht europiane, që janë pjesë e një programi të veçantë vizash. Megjithatë, mbetet ende e paqartë se di do të kuptohet nëse një grua që po aplikon për vizë është shtatzënë, ose jo.

Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, me të cilin CNN foli, një zyrtar i ambasadës nuk mund ta pyesë aplikantet drejtpërdrejtë nëse është shtatzënë, përveç rasteve kur ka arsye specifike të qarta që të mund ta bëjnë të besojë se mund të jetë shtatzënë.

“Nuk duhet të pyesni të gjitha aplikantet nëse janë apo jo shtatzënë ose nëse kanë synim të mbesin shtatzënë në të ardhmen”, lexohet në kabllogramin që iu është shpërndarë ambasadave. Zyrtari i Departamentit të Shtetit tha se një arsye e fortë mund të jetë nëse aplikantja thotë se po kërkon të udhëtojë në SHBA për të kryer një procedurë mjekësore. Megjithatë, zyrtari i ambasadës nuk do të lejohet të kërkojë një test shtatzënie para se të marrë vendimin për vizën.

Baza e këtij rregulli të ri është fakti që Departamenti i Shtetit “nuk beson se hyrja në SHBA me qëllim kryesor lindjen e një fëmijë është një aktivitet i ligjshëm”. Rregulli prek specifikisht aplikantët për viza të tipit B, që merren nga vizitorët e përkohshëm për turizëm ose çështje biznesi. Gjithashtu të gjithë aplikantët që pranojnë se duan të udhëtojnë drejt SHBA për trajtim mjekësor, duhet të të vërtetojnë se i kanë mjetet financiare për të paguar faturat.

Një analiste e Institutit për Politikat e Migracionit në SHBA, Sarah Pierce, tha për CNN se ky rregull gjithsesi nuk mund të shmangë plotësisht lindjen e fëmijëve të huaj në SHBA. “Zyrtari i ambasadës vihet në pozitë të vështirë në këtë rast. Gjithashtu, këto lloje vizash jepen për një afat deri në 10 vite, çka mund të bëjë që një person të aplikojë shumë kohë përpara se të ketë vendosur të bëjë fëmijë”, tha ajo.

Sipas statistikave amerikane, në vitet e fundit rreth 10000 fëmijë kanë lindur në SHBA pasi nënat e tyre kanë udhëtuar nga shtete të tjera të botës. Vitin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë ngriti akuza zyrtare për tre persona që organizonin një biznes të tillë, duke sjellë familje kineze për të lindur në Kaliforni. Pas hetimeve u zbulua se nënat paguanin nga 15 mijë deri në 50 mijë dollarë për të lindur në SHBA përmes kësaj skeme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos