
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, rezulton i prekur nga Covid-19. Ai ka njoftuar vetë përmes një mesazhi në rrjetet sociale ku thotë se do të qëndrojë në vetizolim për dy javët në vijim.
“Të nderuar anëtarë të Lëvizjes e qytetarë të Republikës, Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, shkruan Kurti.
Pas kësaj, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili i uron të përballojë sa më lehtë simptomat.
“Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i dëshiroj që ta kalojë sa më lehtë gjendjen shëndetësore me COVID-19. Zotit Kurti dhe të gjithë të prekurve tjerë i uroj që sa më lehtë t'i përballojnë simptomat dhe t'i kthehen angazhimeve të përditshme”, shkruan Hoti. (A2 Televizion)