Albin Kurti: Në fillim reciprociteti, pastaj heqja e taksës

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2020, 21:46 | Kosova
Albin Kurti: Në fillim reciprociteti, pastaj heqja e taksës

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” sqaroi se qeveria që ai do të drejtojë synon që të heqë taksat ndaj produkteve serbe, pasi të vendoset fillimit masa e reciprocitetit.

Sipas Albin Kurtit, reciprociteti është parimi mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet ndërkombëtare në botë.

“Ne dëshirojmë që ta kemi këtë reciprocitet si parim normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore e bilaterale, dhe dëshirojmë që me këtë rast ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind. Ashtu kemi deklaruar në fushatën zgjedhore sepse ashtu kemi menduar e besuar dhe ne me ato deklarime e qëndrime kemi fituar dhe natyrisht që tash duhet t’i dalim zot qytetarëve për mbështetjen e tyre. Ne duam që tarifën njëqind për qind ta zëvendësojmë, pra të mos kemi situatë në të cilën nuk e kemi as tarifën as reciprociteti”, tha Albin Kurti.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës foli edhe për përparësitë e punës së qeverisë së tij, ku thotë se nuk është e pamundur që të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti.

“Është e mundshme, mirëpo unë nuk do të mund të parashikoja një gjë të tillë tani. Tani mund të shprehë vullnetin tim për dialog, për bashkëbisedim të hapur e parimor dhe besoj që nuk do të duhej që duke e vënë marrëveshjen para dialogut ta dëmtojmë dialogun dhe ta pamundësojmë marrëveshjen si të tillë”, shtoi kryeministri Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos