
Ayatollah Ali Khamenei kërkoi një përfshirje më të madhe të grave në nivele të ndryshme të politikës dhe vendimmarrjes në Iran.
Kjo erdhi gjatë një fjalimi përballë një grupi grash në Teheran me rastin e festës së nënës. “Kjo është e rëndësishme dhe duhet të gjejmë një zgjidhje për këtë”, tha lideri suprem i revolucionit islamik, ndërsa përballë tij, të gjitha gratë ishin të mbuluara me një vello me ngjyrë të zezë.
Sakaq, në Iran tensionet mbeten tepër të larta, pas tre muajve të fundit të mbushura me protesta kundër regjimit. Por kjo nuk i ktheu mendjen liderit Khamenei, i cili përsëriti në takimin e fundit se “hixhabi duhet të mbahet, sepse është një nevojë fetare”.
“Nuk është e drejtë që disa gra nuk mbajnë hixhabin e plotë, por nuk duhet të themi se ato janë kundër besimit fetar apo revolucionit islamik”, tha ai.
Ali Khamenei përmbylli fjalën e tij duke këshilluar gratë që t’i japin prioritet detyrave kryesore, që sipas tij janë ato të një gruaje dhe nëne, dhe jo aktiviteteve sociale. (A2 Televizion)