
“25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë dhe këtë e evidenton edhe Asamableja Parlamentare e Këshillit të Europës”. Kështu u shpreh deputeti i zgjedhur demokrat, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat. Sipas tij, kjo konfirmohet në raportin e Asamblesë së KiE ku përmenden të gjitha elementet që çuan në masakrën zgjedhore të 25 prillit. Alibeaj thekson se përdorimi i të dhënave personale është një nga shqetësimet serioze të këtij raporti.
“Zyrtarët abuzuan me pushtetin e funksioneve publike. Keqqpërdorim i burimeve të administratës. Raportimet për blerje të votës, për ushtrim presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike për të votuar për partinë në pushtet. Veçse dëshmi të asaj që të gjithë njohim si masakra zgjedhore e 25 prillit. Përpos dënimit që delegacioni i Asamblesë bën ndaj këtyre akteve, si dhe thirrja ndaj autoriteteve për t’i dhënë fund këtyre parregullsive për të rritur besimin e zgjedhësve në proceset zgjedhore, raporti vendos theksin mbi një nga elementet më djallëzore të kësaj masakre. Atë të patronazhistëve dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, “i cili, me fjalët e raportit, përbën një shqetësim serioz dhe i bën votuesit vulnerabël”, shprehet Aliabeja, teksa përmend edhe rastin e zjarrfikësit që ishte edhe patronazhist.
Në këtë kontekst, Alibeaj shprehet se presionet nuk kanë qenë vetëm mbi votuesit dhe vëzhguesit, por edhe ambasadorët.
“Misioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk ka qenë vetëm dëshmitar i momenteve të shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit. Apo, siç pohohet në raport, të presionit mbi votuesit, ku kanë kanë “vëzhguar se si një person tërhiqej me forcë drejt qendrës së votimit dhe instruktohej si të votonte. Por ata vetë kanë pësuar presion, pasi kërcënimet nuk kanë munguar edhe ndaj ambasadores së një shtetit partner, takimi i së cilës u mbyll pasi një nga pjesëmarrësit u rrëmbye nga bandat në shërbim të regjimit.”
Për Alibeajn, “ky raport pra dëshmon se Asambleja e Këshillit të Europës pati sy për të parë atë që KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor nuk duan të shohin. Ky raport dëshmon se Asambleja e Këshillit të Europës kërkon atë transparencë që KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor i mohojnë shqiptarëve.
Ky raport dëshmon se ne duhet dhe do të bashkëpunojmë me partnerët tanë për të zhbërjen e masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe për ndërtimin e një plarforme për të sjellë legjitimitetin dhe demokracinë në Shqipëri”. (A2 Televizion)