Alimehmeti për vaksinimin: Kemi vështirësi komunikimi me studentët, detyrimi ka sjellë konflikt

Nga A2 CNN
14 Tetor 2021, 09:32 | Aktualitet
Alimehmeti për vaksinimin: Kemi vështirësi komunikimi me

Një nga debatet më të ndezura për sa i përket fushatës së vaksinimit në vend, vjen nga auditorët e universiteteve. Studentët në vend duken skeptikë, dhe sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, pavarësisht arsyeve mjekësore ata kanë të drejtë për qasjen që është përdorur.

“Kemi një gap komunikimi me studentët, sado që përpiqemi me grupe më të vogla, tani po tentojmë auditorët.  Pyetjet janë po të njëjtat, por detyrimi ka sjellë një lloj konflikti, që e shprehin qartë edhe studentët e vaksinuar, si parim. Një tjetër çështje është se thonë se shumë prej tyre e kanë kaluar”, thotë epidemiologu, i ftuar në A2 CNN.

Sipas Alimehmetit, rregullorja për vaksinimin e kësaj kategorie duhet të ishte “pak më fleksibël dhe me bonsens. Ne po e bëjmë këtë për të ulur hospitalizimet, dhe dihet se fasha më e rrezikuar është 50 e sipër. Ndërkohë, na thonë pse në lokale nuk ka problem grumbullimi, ndërkohë që në auditorë nuk lejohet”.

Sipas tij, vaksina riskun e ka shumë të ulët dhe benefitin komunitar shumë të lartë, por kjo mbetet në hije nga këto diskutimet paraprake. “Do të duhet të kishim pasur pak më shumë kohë, të kuptonin më shumë problemet e studenteve, qoftë me një sondazh të thjeshtë”, shton ai.

 Gjithsesi, mjeku evidenton se disa nga mitet ndaj pandemisë po shuhen. Pas çipeve dhe magnetit, edhe ai që ka të bëjë me fertilitetin po zbehet. “Kemi pasur 4 miliardë persona të vaksinuar, në qoftë se do të kishte diçka të tillë tashmë do ishte parë shumë qartë”, thotë ai.

 Duke ripohuar që trendi, të paktën europian i përhapjes është në zbritje, dhe që kjo është qartësisht meritë e imunizimit, bindja e popullatës është arritur me qasje të ndryshme sipas vendeve. “Shtete të ndryshme kanë vendime të ndryshme. Në vendet nordike nuk ka detyrime, por edhe imunizimi i grupit njihet, dhe aty vaksinimi ka kaluar 80% të popullsisë, falë diskutimeve. Në vendet latine, kjo po tentohet më me dhunë, ku po arrihen të njëjtat shifra, por me konflikte sociale më të larta”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos