
Massimiliano Allegri, trajneri i Juventusit, mund të kualifikohet që nesër për në fazën tjetër të Champions League, por ndeshjen ndaj Zenitit e ka përgatitur me barrën e dy humbjeve të rënda në kampionat ndaj Sassuolos dhe Veronës.
Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj ekipit rus, Allegri është shfaqur shumë i trishtuar për rezultatet e dobëta të bardhezinjve në Serinë A.
“Kualifikimi është objektivi ynë i parë dhe do ishte i bukur nëse do ta arrinim kur duhen edhe dy ndeshje. Kjo do të na lejonte që të përqendroheshim në kampionat. Në këtë moment, jemi të gjithë të zemëruar sepse në 5 ditë kemi hedhur në plehra punën e një muaji e gjysmë. Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të punojmë më shumë që të përmirësohemi”, tha Allegri.
“Kemi pësuar 15 gola, 11 prej të cilëve në 6 ndeshje kundër ekipeve që na kanë mundur me meritë, por që renditen nga vendi i dhjetë deri në të fundit”, shtoi Allegri.
Pas 11 javësh kampionat, bardhezinjtë renditen në vendin e nëntë me 15 pikë, plot 16 pikë më pak sesa kryesuesit Napoli dhe Milan. (A2 Televizion)