Në përfundim të takimeve që ambasadorja amerikane Yuri Kim zhvilloi gjatë kësaj jave me protagonistët e jetës politike në vend, selia diplomatike përmblodhi përmes një deklarate se cilat kanë qenë qëndrimet e përfaqësueses së Uashingtonit. Së pari, Yuri Kim ka kërkuar që marrëveshja e 5 qershorit, të respektohet ashtu si u ra dakord. Së dyti, ambasadorja amerikane ka theksuar se Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin. Referuar opozitës jashtëparlamentare, Kim ka theksuar se me djegien e mandateve PD dhe LSI ka djegur edhe pretendimet për kompetenca në Parlament, por sipas ambasadores amerikane, nuk mund të injorohet fakti se ata, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë. Ambasada Amerikane kërkon që puna në Këshillin Politik të vazhdojë pavarësisht njoftimit të mazhorancës për të miratuar në Kuvend ndryshimet kushtetuese. (A2 Televizion)
Ambasada Amerikane: Çdo veprim i parlamentit nuk mbyll negociatat e Këshillit Politik
