
Pedagogia e komunikimit, Edlira Gjoni, u shpreh në A2 se ambasadorët në vendin tonë duhet të mbajnë një qëndrim më konsistent, teksa komentoi reagimet e fundit në lidhje zgjedhjet e 25 prillit.
Gjoni u shpreh se shifrat janë lexuar gabim kur është thënë se “shqiptarët folën qartë”, një deklaratë e ambasadores amerikane Yuri Kim.
“Më shumë se 3 milionë e 500 mijë shqiptarë kanë të drejtën e votës. Ne themi se shumica e shqiptarëve foli qartë, por shqiptarët që kanë folur janë 778 mijë në favor të PS, me llogaritje i bie 21,4%. Atëherë, po kaq kanë folur ndryshe. Po këta tjetër si flasin? Përçartë? 21,4% nuk janë shumica e shqiptarëve. Unë nuk jam dakord me luajtjen e shifrave si t’i interesojë palëve. Këto shifra janë të lexuara gabim.
Kam një problem me paqëndrueshmërinë e qëndrimeve ndërkombëtare. Na kanë thënë se kemi bërë zgjedhje të pranueshme në vitin 2019, ndërsa një nga 15 kushtet është që ne të vlerësojmë nëse zgjedhjet e 2019-ës janë të vlefshme. Por janë apo nuk janë? Duhet të mbajnë patjetër një qëndrim konsistent. Unë do të isha e shqetësuar ndaj qëndrimit të ndërkombëtarëve edhe nëse në pushtet do të ishte një tjetër parti”, u shpreh Gjoni. (A2 Televizion)