Takimet në Presidencë, ambasadorët e BE dhe Basha te Meta për aktualitetin politik

Nga A2 CNN
24 Korrik 2020, 11:41 | Politikë
Takimet në Presidencë, ambasadorët e BE dhe Basha te Meta

Presidenti Meta zhvendosi për pasdite komunikimin i përjavshëm me median, për t’ia rezervuar  paraditen e sotme një agjende takimesh me diplomatët europianë të akredituar në Tiranë dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha.

I përfshirë në zhvillimet politike, ku nuk kanë munguar as qëndrimet publike, presidenti Meta priti sot në zyre ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian dhe atë të Britanisë së Madhe. Në deklaratën e zyrës së shtypit, theksohet se Presidenti ka siguruar ambasadorët se do të dekretojë menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit.

Ndërsa, sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe hapjes së listave, të propozuara nga opozita parlamentare dhe të mbështetura nga kryeministri Edi Rama, Presidenti jo vetëm që nuk ka ndryshuar qëndrim, por ua ka bërë me dije dhe ambasadorëve në takim. “Theksova rëndësinë e vazhdimit të punës së Këshillit Politik vetëm në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes. I njoha me pozicionin tim të qartë se çdo prekje e njëanshme e Kushtetutës do të konsiderohet si akt i papranueshëm që synon të asgjësojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, është shprehur Meta.

Pozicionin e tij, Presidenti ia ka ritheksuar dhe kreut të opozitës, madje Meta nuk ka harruar as në këtë takim t’i kërkojë Bashës të vazhdojnë punën në Këshillin Politik në frymën e konsensusit duke mos rënë pre e asnjë provokimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos