
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të forta në drejtim të mazhorancës gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e cilësuar Parlamentin aktual si më kriminalin në historinë e Shqipërisë.
Berisha e krahasoi Kuvendin e sotëm me atë të vitit 1945, duke pretenduar se në radhët e tij ka persona të përfshirë në krimin e organizuar, trafik droge dhe porositje vrasjesh.
“Pas Parlamentit të '45-ës, ky është Parlamenti më kriminal që ka ekzistuar në historinë e Shqipërisë. Nëse në '45-ën zunë vend në këtë sallë vrasës serialë dhe autorë të luftës civile, sot janë kriminelë ordinerë, trafikantë, porositës vrasësish”, deklaroi Berisha.
Ai përmendi edhe emrin e Taulant Ballës, duke e akuzuar për përfshirje në porositjen e një vrasjeje dhe në masakrën e Elbasanit. Berisha pretendoi se dokumente shtetërore të vitit 2017 dëshmojnë se regjistrimet që, sipas tij, provonin këto akuza, janë zhdukur nga një gjyqtare dhe një prokuror.
“Dokumentet shtetërore të 2017-ës tregojnë se një gjykatëse faqezeze dhe një prokuror faqezi zhdukën regjistrimet ku faktohej se krimineli Taulant Balla kishte porositur vrasje dhe ishte i implikuar në masakrën që ndodhi në Elbasan, ku mbetën të vrarë 4-5 vetë”, u shpreh kreu i PD-së. (A2 Televizion)