
Amerika Latine tejkalon Europën dhe Shtetet e Bashkuara për nga numri i infektimeve ditore me Covid-19, duke u kthyer në epiqendrën e re të pandemisë globale.
Organizata Shëndetësore Panamerikane tha të martën se në të dyja amerikat numërohen më shumë se 2,4 milionë raste dhe gati 143 000 vdekje. Organizata u shpreh veçanërisht e shqetësuar për Brazilin, ku numri i infektimeve të raportuara javën e kaluar, ishte më i larti për një periudhë 7-ditore që prej shpërthimit të pandemisë.
Me 83 000 raste me koronavirus, Brazili spostoi Rusinë, duke u renditur i dyti pas Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, vdekjet e regjistruara në 24 orë janë më shumë se çdo vend tjetër të botës, e sipas një studimi, deri në gusht koronavirusi do të ketë marrë deri në 125 000 jetë njerëzish në Brazil.
Shefja e Organizatës Shëndetësore Panamerikane paralajmëron kundër zbutjes së kufizimeve: “Tani është koha për të qëndruar të fortë, vigjilentë e për të implementuar me agresivitet masat e provuara si efikase në mbrojtjen e shëndetit publik. Kemi mësuar nga rajonet e tjera se çfarë funksionon e çfarë jo, e duhet ta aplikojmë njohurinë në kontekstin tonë”.
Peruja dhe Kili po raportojnë gjithashtu shifra tragjike dhe kanë tashmë nivelin më të lartë të infektimit për frymë. Të marten, Kili konfirmoi gati 80 000 raste e 806 vdekje nga koronavirusi, që prej shpërthimit të pandemisë. Mesnatën e së martës hyri në fuqi kufizimi që ndalon udhëtimet drejt SHBA të të gjithë shtetasve që kanë qenë në Brazil në 14 ditët e fundit. (A2 Televizion)