Amerikanët besojnë se avioni i Prigozhin u rrëzua pas një shpërthimi në bord

Nga A2 CNN
24 Gusht 2023, 21:42 | Bota
Amerikanët besojnë se avioni i Prigozhin u rrëzua pas një

Zyrtarët amerikanë besojnë se përplasja e avionit që kishte në bord liderin e grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, është e qëllimshme dhe është shkaktuar nga një shpërthim.

Burime të Associated Press në SHBA tregojnë se nga një vlerësim paraprak i inteligjencës amerikane u zbulua se avioni është rrëzuar qëllimisht.

Një nga zyrtarët, emri i të cilit nuk mund të përmendet, tha se shpërthimi në a avion është një hipotezë e rëndësishme, pasi shkon në përputhje me "historinë e gjatë të përpjekjeve të Vladimir Putin për t’i mbyllur gojën kritikëve të tij".

Për rrëzimin e avionit të Prigozhin ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Patrick Ryder tha të enjten se ata besojnë se shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, u vra në incidentin e të mërkurës në Rusi.

"Unë nuk do të hyj në specifikat se si ne mbledhim informacione, përveç se përsëri, vlerësimi ynë fillestar, bazuar në një sërë faktorësh, është se ai ka të ngjarë të jetë vrarë", tha Ryder.

Ryder tha gjithashtu se Pentagoni nuk ka informacion nëse avioni është rrëzuar ose jo nga një raketë tokë-ajër.

Sakaq, edhe eksperti ushtarak Justin Crump thotë se ky vlerësim është më i duhuri i mundshëm nëse shohim mënyrën në të cilën është rrëzuar avioni.

Rrëzimi vertikal i avionit duket se përputhet me teorinë e një shpërthimi të ndodhur në bord. Një problem mekanik i avionit thjesht nuk prodhon rezultate të tilla dhe ky avion njihet si një model tepër i sigurt”, tha ai për Sky News.

Sipas tij ka shumë gjasa që shteti rus të qëndroj pas kësaj ngjarje, pasi ata kanë mjetet, motivin dhe mundësitë për ta realizuar.

"Çdokush mund ta ketë vënë atë bombë në bord", tha Crump. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos