
Qeveria nuk i ndahet planeve të saj, pavarësisht kundërshtive të hasura. Amnistia fiskale do të bëhet, siç konfirmoi edhe kryeministri Edi Rama pak ditë më parë. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, u shpreh se po punohet ende mbi draftin e tretë të kësaj nisme, edhe pse nuk ka një afat të përcaktuar se kur mund t’i vijë për shqyrtim Parlamentit.
“Është një punë në proces, që nuk ka një datë për miratimin”, tha ministrja.
Drafti i hedhur për konsultim publik parashikon amnisti edhe për pronat e paluajtshme, por, sipas ministres, nuk do të përfitojë asnjë ndërtues që ka shtuar kate pa leje: “Nuk mund të ketë legalizime të një ndërtimi të paligjshëm. Amnistia fiskale ka nisur si proces diskutimi shumë kohë përpara se të ndërmerreshin nismat e fundit ligjore”.
Sa i takon situatës ekonomike, ministrja deklaroi se Shqipëria po e përballon më mirë se rajoni situatën me rritjen e çmimeve. Pavarësisht rritjes së zbehtë 2,2% në periudhën Prill-Qershor, qeveria pret një ecuri më të mirë të pjesës së mbetur të vitit, falë sezonit të mirë turistik dhe përmirësimit të situatës energjetike.
“Në bazë të informacioneve që kemi, mendojmë që tremujori i tretë i vitit do të ketë përshpejtim të rritjes ekonomike. Ne presim që rritja të jetë diku mbi 3,2%”, tha Ibrahimaj.
Ministrja tha se në vijim pritet një rritje e mëtejshme e pagave dhe e punësimit. Edhe pse normat e rritura të interesit, rrezikojnë të tkurrin kreditimin e biznesit dhe individëve. (A2 Televizion)