
Politika shqiptare ka nevojë për transformim të thellë. Kështu u shpreh në “Dita jonë” analisti Plator Nesturi, i cili e sheh si votë të zgjuar popullore, votën për Partinë Socialiste, pasi sipas tij rikthimi te PD-ja dhe LSI-ja do të ishte një hap pas për vendin.
“Vota për PS-së është votë e zgjuar popullore, jo se Basha është i keqi, por politika ka nevojë për transformim të thellë, një klimë të re që t’i shërbejë vendit, një aspekt që unë e mendoja. Rikthimi i PD-së dhe sidomos i LSI-së ishte që çikriku të kthehej pas, dhe ndërkohë LSI-ja mund të shkonte prapë te 20 deputetët mandatin e ardhshëm dhe do të humbnim kohë për transformimin e politikëbërjes. Rama e shfrytëzoi këtë, por procesi që PD u fut nuk ishte e përgatitur për të marrë pushtetin dhe duhet të ndryshojë mënyrën e politikëbërjes. Një opozitë duhet të bëjë betejë përditë, politika është përgjegjshmëri. Ajo që më shqetëson mua është futja në llogore”.
Për Nesturin, PS-ja pati strategji në fushatë, përkundër PD-së që, sipas tij, nuk ka shkuar ende te partia moderne. Por ai thekson se si fituesi dhe humbësi duhet të lexojnë mirë votën qytetare. Ngjarja e Elbasanit, theksoi ai, dëshmoi që PD-ja nuk duhet të sillej në atë formë.
“PD-ja nuk bëri fushatë të keqe, por vonesa në fushatë e Bashës nuk mund ta kapërcente këtë gjë. PS-ja ishte përgatitur mirë, por elementi i PS-së ishte strategjia, duke iu përshtatur elementit ligj, mënyrës së organizimit, si në përshtatjen e kandidatëve, si futja e garës mes vetë kandidatëve doli me një përqindje të madhe që nuk pritej dukej sikur kjo pjesëmarrje do avantazhonte opozitën. Futja e garës si brenda dhe jashtë fashës kishte garë të ethshme, ku secili maksimizoi votat drejt PS-së.
PD-ja nuk ka shkuar ende të partia moderne dhe leximi i votës së saj është një mënyrë që duhet të transformojë vetveten. Vetë PD-ja nuk kishte ndryshuar dhe nuk mund të pretendosh se do bësh ndryshim. Nga ana tjetër, mesazhi që i dha elektorati PD-së është për klimë paqeje dhe jo konfliktualiteti. Harxhoi shumë energji duke dalë jashtë sistemit dhe për të gjetur zgjidhje nga rruga. Shoqëruar kjo edhe me ngjarjen në Elbasan që elektorati i pavendosur i dëshmoi PD-së që nuk duhet të sillej në atë formë. Kemi rritje të PD-së në çdo qark, në Elbasan është i vetmi qark ku PD dhe aleatët janë në zbritje”.
Për LSI-në ai tha se aludime për krisje të forta mes tyre, por thekson se ndjesa e Kryemadhit ndaj presidentit tregon që Meta mbetet presidenti i LSI-së.
“Janë hedhur aludime për krisje të fortë mes tyre dhe vija që kishte ndjekur Luan Rama nuk ishte e pëlqyeshme për ta. Kemi kryetaren e LSI-së, e cila nuk i kërkon ndjesë elektoratit të saj, por presidentit. Kjo është një pranim nën zë që Meta mbetet president i LSI-së dhe thotë që do të kthehem në LSI”. (A2 Televizion)