I intervistuar nga A2, anëtari i Shtabit të Emergjencave Ilir Bejtja përshkroi funksionet e Shtabit gjatë ditëve të emergjencës pas tërmetit të 26 nëntorit, si dhe disa detaje nga mekanizmi i shpërndarjes të pastrehëve. Detyra fillestare e Shtabit, të ngritur në 27 nëntor, kishte të bënte me përmbylljen e operacioneve të kërkim-shpëtimit, dhe me pas nisi operacioni i emergjencës civile, duke ngritur kampin në stadiumin “Niko Dovana” dhe transferimin e tyre në ambiente më të sigurta, “për të evituar edhe epidemitë e mundshme”, sipas tij. Bejtja njoftoi se “nga njoftimi i parë që ka bërë Bashkia e Durrësit, rezultojnë rreth 2500 familje të pastrehë në këtë qark, shifër që ende duhet verifikuar rajon pas rajoni”. Anëtari i Shtabit të Emergjencave sqaroi edhe faktin se nga dita e djeshme ka filluar edhe faturimi financiar nga shteti i hoteleve që po strehojnë personat e goditura, me shtetin qe do t’ i pagojë këtyre strukturave shumën prej 2 mijë lekë për person. Për pretendimet se ka patur problem me shpërndarjen e ndihmave, ai thotë se “ne nuk kemi sportele për shpërndarjen e ndihmave, ndihmat shkojnë aty ku po rrinë personat e goditura dhe pa një strehë, nga kampi në stadium dhe më pas në hotele, ku tani mund te kontrollojmë gjithçka më mirë”. Bejtja shtoi se deri më tani nuk ka një rast të denoncuar te një rast vjedhje në shtëpitë e braktisura nga frika e shembjeve. (A2 Televizion)
Anëtari i Shtabit të Emergjencave: Në Durrës, 2500 familje pa shtëpi
