
Kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, u shpreh se “kur shoqëria e kthen protestën në gjendje sociale të saj, zgjidhja gjithmonë është politike”.
“Duhet të kemi një gjë parasysh. Nuk vjen zgjidhja as me shkop gome, as me gaz, as me flakë. Zgjidhja mund të jetë një dhe vetëm një: politike. Ata që drejtojnë sot vendin duhet të kuptojnë se kjo protestë nuk është një organizim i disa njerëzve që i ka zënë inati, por është gjendje sociale. Kjo do shpërfaqet në një mënyrë apo një tjetër. Nëse mendojnë se adresohet me shkop gome, e kanë gabim. Zgjidhja do jetë politike”, u shpreh Lapaj në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Kur shoqëria e kthen protestën në gjendje sociale të saj, zgjidhja gjithmonë është politike. Ato 5 kërkesa që kanë protestuesit duhet t’i marrin në konsideratë. Kërkesat janë të qarta politike. Për këtë arsye, duhet reflektim sa më i shpejtë për t’u shmangur çdo agravim i mëtejshëm”, shtoi Lapaj. (A2 Televizion)