Apeli i Posaçëm “vulos” konfiskimin e 3,4 milionë eurove të dosjes “Toyota”

Nga A2 CNN
24 Maj 2022, 15:28 | Kronikë
Apeli i Posaçëm “vulos” konfiskimin e 3,4 milionë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për të konfiskuar 3,4 milionë eurot e gjetura në dy makina “Toyota” në vitin 2018.

Konfiskimi pasuror u bazua në ligjin Antimafia në një proces të pavarur nga ai penal dhe prokurorët e SPAK argumentuan se zotëruesit nuk i justifikonin këto pasuri në burime të ligjshme.

Pas gjetjes së tyre në Durrës, ish-Prokuroria për Krimet e Rënda ngriti dyshime për një grup kriminal që pastronte para. Për çështjen, u shpallën në kërkim vëllezërit Ervis dhe Alfred Vladi, ndërsa u arrestuan katër të tjerë, që u liruan në janar 2020.

https://a2news.com/2022/02/11/dosja-toyota-belget-nuk-pushuan-hetimin-si-nisi-ne-2018-dhe-pyetjet-per-bashen/

Pas zbulimit të shumës së eurove në vitin 2018, fillimisht të gjithë u hetuan për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal, por Gjykata dënoi vetëm Vladin si pronar të vetëm të shumës së parave, për mosdeklarim të të ardhurave në kufi. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua me një vit burg.

Për dosjen, prokurorët belgë të mbërritur në Tiranë morën në pyetje dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili dha shpjegime për deklaratën e tij në Kuvend, ku paralajmëroi mbërritjen e një sasie të madhe parash. Që prej vitit 2018, autoritetet belge kanë bërë tre pyetje specifike kryedemokratit, se si e mori vesh informacionin, kush ia dha dhe nëse ka ndonjë të dhënë tjetër lidhur me këtë çështje.

https://a2news.com/2022/02/13/berisha-basha-i-zhytur-koke-e-kembe-ne-ceshtjen-toyota/

Për këtë deklaratë, hetuesit belgë sollën një letër-porosi për prokurorinë e Posaçme në të cilat kërkonin marrjen në pyetje te tij kjo edhe pasi deklaratat për mbërritjen e shumës së parave, u konfirmuan tri ditë më pas në portin e Durrësit, ku dhe u sekuestruan. Autoritetet belge gjithashtu kërkuan të dinë nëse ekziston një dosje me dëshminë e Lulzim Bashës dhe nëse do t’i vendoset në dispozicion një kopje. Kjo pasi ish-kreu i PD-së është pyetur edhe më parë në lidhje me ngjarjen nga Prokuroria e Tiranës në tetor të vitit 2018 por akuza arkivoi dosjen duke mos marrë asnjë vendim për të. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos