Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është shprehur se pasi ka dalë nga burgu ka takuar qytetarë të shumtë, mes të cilëve edhe nga ata që i kanë qëndruar pranë gjatë kohës që ishte në qeli.
Komentet Salianji i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘ÇdoKënd’ me gazetaren Merita Haklaj në A2 CNN, ku tha se PD mund të kishte dalë më mirë në zgjedhje, nëse do të zhvillonte një betejë më të fortë dhe nëse do të kishte një kompozim ndryshe të kandidatëve nëpër lista.
Salianji shtoi gjithashtu se mendonte se nëse do të drejtonte qarkun e Elbasanit gjatë zgjedhjeve, do të merrte një rezultat më të mirë, të cilin tha se e kishte bërë publik që para 11 majit, shkruan A2 CNN.
“Nuk e kam ndaluar aktivitetin politik, por përkundrazi, e kam shtuar. Por një nga problemet që kam pasur në burg ka qenë se hiperaktiviteti ka qenë i vështirë për t’u menaxhuar në ambiente aq të mbyllura pa mundësi lëvizjeje. Gjatë kësaj periudhe unë kam takuar njerëz që kanë sakrifikuar po njësoj, ose ju dhimbset po njësoj PD.
Kanë qenë takime të moderuara. Kohën më të madhe e kam edhe si detyrim që ta shpenzoj me njerëz që më kanë mbështetur kur kam qenë në burg. Në politikë pa dëgjuar njerëzit, pa komunikuar me ta, apo pa dëgjuar interesat e tyre, nuk mund të ketë kuptim.
Unë mendoj që Tomorr Alizoti është një nga asetet e PD-së, por kur nuk ke marrë pjesë në betejë dhe për më tepër kur ka pasur një drejtues më pas, çfarëdo që të them unë mund të duket ndryshe. Por para se të hyja në burg unë e kam vendosur objektivin dhe e kam thënë edhe në publik sesi prisja të dilja në atë betejë elektorale që isha ngarkuar.
E sigurt është se edhe dënimi im ka ndikuar edhe në perceptimin e njerëzve. Por është fakt të themi se me një ekip të mirë në zona të caktuara dhe me betejë të fortë, të dilnim më mirë. Ka pasur edhe zona që kanë arritur ta tejkalojnë deformimin e vullnetit të zgjedhësve.
Puna e listave është si puna e ekipit të Futbollit, që secili e bën sipas mendimit të tij. Unë kam qenë për një kompozim tjetër të listave të zgjedhësve. Unë mendoj se personalitete të ndryshme mund të ishin edhe në vende të ndryshme. Përderisa disa personalitete dolën më mirë në primare, pavarësisht se unë në atë kohë isha kundër primareve, mendoj se edhe në listat për deputetë duhet të kishte një tjetër kompozim”, tha mes të tjerash Salianji, përcjell A2 CNN. (A2 Televizion)