
Britanikët e kanë pritur me shumë optimizëm aprovimin e vaksinës së dytë që lufton koronavirusin, e cila është zhvilluar nga Oksford dhe Astrazeneca.
Shumë prej tyre shprehen se do ta marrin atë dhe e konsiderojnë imunizimin përmes vaksinës si mënyrën e vetme për të dalë nga kjo situatë pandemike.
“Sigurisht që do ta marr. Nuk besoj se do të shkojë më keq se kaq! Mendoj se do të na ndihmojë, por në përgjithësi them se duhet të rrisim sasinë e vaksinimit, ashtu si në vende të tjera që planifikojnë të vaksinojnë qytetarë pa pushim, 24 orë në çdo ditë të javës, për të vaksinuar sa më shumë të jetë e mundur, pasi tani procesi është shumë i ngadaltë”, shprehet një banore e Londrës.
“Mendoj se vaksinat ndoshta janë përgjigjja, por dyshoj se do të jetë një ilaç i shpejtë, siç ne imagjinojmë, pasi nuk do t’i kthejë gjërat shpejt”, tha një tjetër.
“Po, do ta marr dhe mendoj se do të sjellë zgjidhje. Por, e di se shumë persona nuk do ta marrin dhe shumë të tjerë që nuk janë të interesuar”, u shpreh një tjetër banor i Londrës.
“Nëse vërtetohet se funksionon, atëherë, po, do ta marr. Fatkeqësisht, kam humbur një kushëri nga Covid-i. Vajza ime e kaloi dhe sapo ka dalë nga izolimi. Mendoj se duhet të vaksinojmë të moshuar dhe të rinj, të cilët janë në rrezik. Duhet t’i kthejmë në shkolla dhe të kujdesemi për të moshuarit”. (A2 Televizion)