Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 tronditi bregun e Kalifornisë Veriore të enjten, më 5 dhjetor, duke shkaktuar evakuime të zonave të ulëta bregdetare pas një paralajmërimi për cunami, i cili më vonë u anulua. Pamje nga kamerat e sigurisë treguan një dhomë kultivimi kanabisi që lëkundej dhunshëm gjatë tërmetit, i cili ndodhi rreth orës 10:44 paradite me kohën lokale (19:44 me orën e Shqipërisë).
Epiqendra e tërmetit ishte rreth 63 km në perëndim të qytetit Ferndale dhe në një thellësi të cekët prej 10 km, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-ve. Fatmirësisht, nuk pati raporte për viktima apo lëndime, ndërsa dëmet materiale ishin minimale, megjithëse autoritetet deklaruan se nevojitet më shumë kohë për të vlerësuar situatën.
Paralajmërimi për cunami, i cili përfshiu një shtrirje prej 800 kilometrash përgjatë brigjeve të Kalifornisë dhe Oregonit, u anulua rreth 90 minuta pas goditjes. (A2 Televizion)