Rruga “gëlltit” makinat

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2026, 09:32 | Kapur në kamera

Dy automjete u përpinë pjesërisht nga një gropë e madhe që u hap papritur në një kryqëzim në shtetin amerikan Nebraska, të martën e 24 shkurtit, duke shkaktuar panik mes drejtuesve të mjeteve dhe kalimtarëve.

Pamjet e kamerave të trafikut tregojnë dy automjetet të ndaluara në kryqëzim, në pritje të semaforit. Papritur, toka shembet nën rrotat e tyre dhe mjetet bien brenda gropës, transmeton A2 CNN. Pas incidentit, kalimtarë dhe drejtues të tjerë mjetesh u afruan për të ndihmuar personat e përfshirë. Sipas raportimeve të mediave lokale, fatmirësisht nuk pati të lënduar. Policia bëri të ditur se të dy drejtuesit arritën të dilnin nga automjetet dhe nga gropa para mbërritjes së ekipeve të emergjencës.

Autoritetet konfirmuan se rruga është mbyllur në të dy drejtimet dhe pritet të qëndrojë e tillë për disa ditë, ndërsa ekspertët vlerësojnë stabilitetin e terrenit. Sipas policisë, ekziston rreziku që gropa të zgjerohet më tej, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në zonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos