Video virale, sherr në Opera për flamurin e Palestinës

Nga A2 CNN
22 Korrik 2025, 17:00 | Kapur në kamera

Një ngjarje e pazakontë ndodhi në skenën e Royal Opera House në Londër, gjatë një shfaqjeje të operës së Verdit "Il Trovatore", kur një nga anëtarët e trupës së baletit ngriti flamurin palestinez përballë publikut. Akti, i cili u regjistrua në video dhe u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ka ngjallur reagime të ndryshme, nga përkrahja e hapur deri te dënimi i veprimit si i papërshtatshëm, shkruan A2 CNN.

Pamjet tregojnë momentin kur artisti shpalos flamurin në fund të shfaqjes, ndërkohë që dikush nga prapaskena përpiqet t’ia heqë atë nga dora, pa sukses. Veprimi i tij u interpretua nga shumëkush si një deklaratë politike në mbështetje të kauzës palestineze, ndërkohë që të tjerë e quajtën një ndërhyrje të papërshtatshme në një skenë arti.

Pas incidentit, një zëdhënës i Royal Ballet and Opera deklaroi: “Shfaqja e flamurit ishte një veprim i paautorizuar nga artisti. Ai nuk ishte miratuar nga Royal Ballet and Opera dhe përfaqëson një akt krejtësisht të papërshtatshëm”.

Ndërsa disa komentues në internet e kanë përgëzuar guximin e artistit për të ngritur zërin për një çështje globale përmes artit, të tjerë argumentojnë se skena e një institucioni të tillë kulturor nuk është vendi i duhur për protesta politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos