Franca kremtoi të hënën Ditën e Bastijës, një nga festat më të rëndësishme kombëtare, me një paradë madhështore ushtarake në bulevardin e famshëm Champs-Élysées në Paris. Presidenti francez Emmanuel Macron ndoqi ceremoninë duke përshëndetur trupat dhe duke vëzhguar nga afër demonstrimin e forcave të armatosura.
Por temperaturat e larta duket se ndikuan në mbarëvajtjen e ceremonisë. Një kalë i Gardës Republikane u shkëput nga formacioni i kavalerisë, ndërsa një tjetër u rrëzua në tokë. Fatmirësisht, incidentet nuk ndikuan në rrjedhën e aktivitetit.
Pjesë e shfaqjes ishin regjimente nga ushtria tokësore, marina dhe shërbimet e sigurisë civile. Në paradë morën pjesë edhe qen shpëtimi, avionë dhe policia e motorizuar, shkruan A2 CNN.
Në një moment tjetër, një ushtar, pjesëtar i akademisë ushtarake ndër-armëve, u pa duke marshuar me gjak që i rridhte nga veshi, ndërsa mbante shpatën në dorë krahas kolegëve të tij. Ai vazhdoi ecjen me vendosmëri, duke mos lejuar që lëndimi të ndërpriste paradën.
Dita e Bastijës përkujton sulmin mbi burgun e Bastijës në vitin 1789, një ngjarje kyçe që shënoi fillimin e Revolucionit Francez. Kjo ditë është festë zyrtare në Francë dhe simbolizon luftën për liri, barazi dhe vëllazëri. (A2 Televizion)