Krijohet kundërhelmi universal nga njeriu që u kafshua 200 herë nga gjarpërinjtë

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 15:46 | Lifestyle

Krijohet kundërhelmi universal nga njeriu që u kafshua 200 herë

Një burrë amerikan, Tim Friede, i cili ka kaluar gati dy dekada duke i injektuar vetes helme gjarpri, ka ndihmuar në zhvillimin e një kundërhelmi revolucionar që mund të shpëtojë mijëra jetë. Shkencëtarët kanë zbuluar se antitrupat në gjakun e tij ofrojnë mbrojtje kundër dozave fatale të helmeve nga shumë specie gjarpërinjsh, shkruan A2 CNN.

Aktualisht, kundërhelmet funksionojnë vetëm kur përputhen me helmin specifik të një specieje të caktuar. Kjo është problematike, pasi llojet e helmeve ndryshojnë shumë, edhe brenda të njëjtës specie gjarpërinjsh. Por antitrupat që trupi i Friede ka zhvilluar pas mbi 700 injeksioneve dhe 200 pickimeve nga gjarpërinj si mamba dhe kobra, janë të jashtëzakonshëm.

Kompania bioteknologjike Centivax, në bashkëpunim me studiues nga Universiteti Columbia, analizoi gjakun e Friede dhe identifikoi dy antitrupa që neutralizojnë dy klasa të ndryshme neurotoksinash. Një përbërës i tretë u shtua për të krijuar një “koktej kundërhelmi”, i cili në testet te minjtë siguroi mbrojtje të plotë ndaj 13 prej 19 gjarpërinjve më vdekjeprurës në botë.

Ky është një hap i madh drejt zhvillimit të një kundërhelmi universal, shkruan A2 CNN. Synimi përfundimtar është një injeksion i vetëm që do të mbrojë nga të gjitha llojet e helmit, neurotoksik, hemotoksik dhe citotoksik.

Edhe pse kërkimet janë në faza të hershme dhe nevojitet testim i mëtejshëm, ekspertët e cilësojnë këtë si një arritje premtuese. Për Tim Friede, i cili dikur ra në koma nga dy pickime kobre, ky moment është një triumf: “Jam krenar. Ndihem mirë që po bëj diçka të mirë për njerëzimin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos