Ushqimet e përpunuara mund të lidhen me vdekjen e parakohshme

Nga A2 CNN
29 Prill 2025, 07:28 | Lifestyle

Ushqimet e përpunuara mund të lidhen me vdekjen e parakohshme

Një studim i ri i zhvilluar në tetë vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në, sugjeron se njerëzit që konsumojnë shumë ushqime ultra-të përpunuara mund të jenë më të rrezikuar për të vdekur herët.

Në këtë kategori hyjnë produkte si mishrat e përpunuar, sallamë, hot-dogë, biskotat, pijet e gazuara, akulloret dhe disa drithëra mëngjesi. Ushqimet e përpunuara zakonisht përmbajnë më shumë se pesë përbërës, përfshirë aditivë, ëmbëlsues dhe kimikate që nuk përdoren zakonisht në gatimet shtëpiake.

Studiuesit vlerësuan se në SHBA dhe Britani, ku ushqimet e përpunuara përbëjnë më shumë se gjysmën e kalorive ditore, rreth 14% e vdekjeve të hershme mund të lidhen me këto ushqime. Ndërsa në vende si Brazili dhe Kolumbia, ku konsumi i tyre është më i ulët, kjo përqindje është rreth 4%.

Sipas udhëheqësit të studimit, Dr. Eduardo Nilson nga Brazili, ushqimet e përpunuara ndikojnë në shëndet për shkak të ndryshimeve që ndodhin gjatë përpunimit industrial dhe përdorimit të përbërësve artificialë si ngjyrues, aromatizues, ëmbëlsues, emulsifikues dhe aditivë të tjerë.

Profesori i statistikave të aplikuara, Kevin McConëay, thotë se studimi mbështetet në modele matematikore që nuk mund të japin një përfundim të sigurt. Edhe ekspertë të tjerë bien dakord që dëmet mund të vijnë më shumë nga niveli i lartë i yndyrës, sheqerit dhe kripës në këto ushqime, sesa nga vetë procesi i përpunimit.

Organizatat e industrisë ushqimore kritikojnë përdorimin e termit "ultra-të përpunuara", duke thënë se ky etiketim shpif ndaj ushqimeve që mund të jenë pjesë e një diete të balancuar, si jogurti, buka apo salcat e gatshme. Ata theksojnë se të gjithë aditivët që përdoren janë të miratuar nga autoritetet përkatëse dhe konsiderohen të sigurt.

Ky studim shton më tej debatet për rolin e ushqimeve të përpunuara në shëndetin publik dhe nxit qeveritë të rishikojnë këshillat për ushqimin e shëndetshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos